21/04/2013
Shpirt dhe sacrificë, Partizani për t’u marrë shembull
Zgjati katër vjet drama dhe tragjedia në futbollin shqiptar. E tillë ishte koha koha kur një nga ekipet emblemë të futbollit tonë, ra në kategoritë inferiore. Bëhet fjalë për Partizanin, ekpin që tani buzëqesh për të harruar vitet e tmerrit.
Jo vetëm që “ra” në kategorinë e parë, por iu desh të përballej me problem nga më të shumtat. Duhet të jetonin si endacakë për të gjetur një fushë stërvitjeje, për të gjetur një stadium për të zhvilluar ndeshjet. Partizanin e zhvatën, i morën gjithçka, por nuk i morën atë… emrin dhe dashurinë e tifozëve. Ishte pikërisht ajo që mbajti gjallë këtë ekip, që e ndoqi në çdo cep të Shqipërisë për ta mbështetur. Ishin ata që mblidhnin para për të paguar lojtarët sepse të tjerët i kthyen shpinën të gjithë. Klubi Sportiv që kishte gjithça, ngeli pa asgjë. Pemët që shërbenin si dhoma zhveshjeje, rrugët si fusha stërvitjeje.
Si mund të shuhej një ekip që ka nxjerrë futbollistët më të mëdhenj të vendit. Duke filluar nga Pano, tek Musta, Beqaj, Bogdani, Bakaj, Muzaka dhe shumë e shumë të tjerë. Si mund të shkatërrohet një pasuri Kombëtare. I shkatërruan akademinë, por ata ditën të rezistojnë.
Një ekip i madh, meriton një tifozëri të madhe. Ky është binomi i suksesit në futboll. Ata nuk u dorëzuan për asnjë çast. Ata qanë kur të gjithë qeshnin… Ata ditën të ishin pranë ekipit në momentet më të vështira. Sot ata janë më të lumtur se kurrë, sepse prekën sërish elitën e futbollit shqiptar.
Më në fund rikthehet derbi i munguar i kryeqytetit. Në sezonin e ardhshëm do të mbushet stadiumi plot për të parë një ndeshje që prej shumë vitesh na mungonte (u luajt në kupë). Tirana-Partizani është maja e futbollit tonë, duhet të krenohemi për këtë rivalitet historik që s’ka bërë asgjë tjetër, veçse i ka shtuar vlerat futbollit. Tifozët duhet të dinë të jenë të qytetëruar dhe të sillen si të tillë.
Partizani nuk i ka munguar “Demave të kuq”, Partizani i ka munguar futbollit Shqiptar ! Mirëserdhe Partizan !