11/06/2026
Ka garuar për herë të parë në Rally Albania në vitin e largët 2007. Atëherë ishte vetëm 19 vjeç dhe si piloti më i ri i garës përfaqësonte një prej skuadrave më të njohura në Shqipëri, Naçut Racing Team.
Vitet kaluan shpejt dhe sukseset e para erdhën me disa fitore etapash speciale, vazhduan me dy vende të 3-ta dhe së fundmi me 2 fitore absolute të kësaj gare extreme për makinat.
Eri Nurka sot e kësaj dite është pretendent për fitore në çdo edicion, por mbi të gjitha ky pilot tashmë "i vjetër" ju ka vërtetuar të gjithëve, se në Rally Albania mbiemri i tij do të vazhdojë të dëgjohet gjithmonë e më shumë, ashtu si dikur i vëllait të tij të madh, Dorjan Nurka.
“Sukseset dhe fitoret e mia kanë ardhur sepse nuk kishte si të ndodhte ndryshe nëqoftëse je pjesë e Naçut Racing. Ne jemi një skuadër garash me 20 vjet eksperiencë, kemi 2 dekada që bëjmë gara Rally. Gjithmonë kemi luftuar vetëm për fitore dhe unë mendoj se prapë kemi nevojë për përmirësime e sidomos me Asistencën.
Dori bashkë me çunat mundohen që ne çdo mëngjes të kemi një makinë të re, në sensin që Pajero duhet të jetë gati për garë në orën 6 të mëngjesit, kur gjithë natën e ka kaluar në servis duke u kontrolluar dhe duke ndërruar çdo pjesë të mundshme e të nevojshme.
Jemi duke kryesuar këtë vit, që nga dita e parë e deri më sot. Prej kohësh këtu gara është shumë e fortë dhe zakonisht nga 3 deri në 5 pilotë kanë shansin të luftojnë për fitore deri në etapat e fundit.
Unë jam konfident, i sigurtë dhe i qetë që do të bëj mirë edhe këtë vit, dhe kjo ndjesi vjen jo sepse kam fituar edhe më parë, por sepse është skuadra ime që më bën të ndihem komod. Çdo rezultat, çdo vështirësi e kaluar, çdo moment i bukur në këto 20 vjet gara i takon me meritë Ekipit tonë, dhe jo mua personalisht.
Ne jemi të gjithë bashkë, nuk jemi thjesht skuadër.
Ne jemi një familje e madhe.
Ne jemi Naçut Racing Team.”
Intervistoi
Erjon Xharo
Rally Albania 2026