Furra e Books

Furra e Books Kjo faqe asht për të fiksumt e librit dhe të letrave në përgjithësi.

Këtu mund të ofroni libra, mund të shkëmbeni libra, mund të shisni libra, mund të porosisni përkthime, punime letrare, piktura... Ktu mund të lueni mendsh nga librat.

12/08/2026

Dje mbasdite ndrroi jetë miku jonë i dashtun, poeti e muzikanti Etrit Ura. Nuk po na linte dhimbja me i shkrue dy fjalë për tê, ngase kena kalue bashkë vitet ma t’vshtira që ishin edhe vitet ma t’mira. Por po kërkonim të gjithë nji poezi të tijën, prej të cilës mbanim mend titullin dhe pak vargje.
E kisha te nji bllok i vjetër që e mbaj vazhdimisht me vete se asht ndër të paktat gjana që kam arritë me ruejtë prej atyne viteve. E kotë me thanë se asht poezia ma e bukur e krejt albumit, pamvarsisht emrave të mdhej e të vegjël që janë aty.
Asht nji mbamendje e përjetshme se çfarë njerzish ka dhanë e jep Shkodra e Shqipnia.

Balerin i dhimbjes

Më kujtove diçka
Që e kisha humbur, harruar
Në kufinjë më të largët mendorë
Shikoja krahët e brishtë
Lëvizjet delikate, dhimbjen, ankimin
Dridhjet e tua
Ti jepje e merrje sa andej këtej
E nga ana tjetër pas teje
Ishte e njëjta skenë e ftohtë
Pjesë e së cilës nganjëherë kam qenë edhe un
E të vetmet gjëra që të ngrohnin
N’ato momente ishin
Sytë e mi
Dhe hapat e kopshtares plakë

Për të gjithë dashamirët e romanit shqip, ju kujtoj se Fiorentia ka ribotue mjeshtrin e fundit të këtij zhanri, Skender ...
14/06/2026

Për të gjithë dashamirët e romanit shqip, ju kujtoj se Fiorentia ka ribotue mjeshtrin e fundit të këtij zhanri, Skender Drinin me romanet Ishulli i qetë, Eklipsi i hënës dhe Nata është grua dhe të tjerë do të vijnë. Eklipsi më pat pëlqye kaq shum sa e pata përkthye n’italisht dhe do ta botoj kur t’i vijë radha te koleksioni jem Furra e Books.

Hygoi përshkruen të fshehtat e detitHije që të verbojnë, i tillë ishte ky vend befasues.Rekëtima e detit dëgjohej te kjo...
17/11/2025

Hygoi përshkruen të fshehtat e detit

Hije që të verbojnë, i tillë ishte ky vend befasues.
Rekëtima e detit dëgjohej te kjo guvë. Luhatja e jashtme e frynte, mandej e tryste dhe shfrynte shtresën e ujit të brendshëm me rregullsinë e një frymëmarrje. Të bëhej se pikasje një shpirt misterioz në atë diafragmë të madhe jeshile që çohej e ulej në heshtje.
Uji kishte një kthjellësi magjike, dhe Zhiliati vinte re aty, në thellësi të ndryshme, stacione të zhytura, sipërfaqe shkëmbinjsh në pjerrëtim me gjelbërsi gjithnjë e më të thukët. Disa guva të errëta ishin me gjasë të pasondueshëm.
Nga të dyja brigjet e portikut të nëndetshëm, skica harqesh të ulura, plot me errni, shenjonin guva të vogla anësore, pika hyrje të shpellës qendrore, të hyshme mbase në epokën e zbaticave tepër të ulëta.
Këto zgavra kishin tavane në plan të pjerrët, me qoshe pak apo shumë të hapura. lagatera të vogla, të gjera disa këmbë, të zhveshura nga bëmat e detit, fundoseshin dhe humbeshin nën këto kithtësi.
Aty-këtu barishte të gjata më shumë se një pash valëzoheshin nën ujë me një balancim flokësh në erë. Ndërshiheshin pyje algash.
Jashtë e brenda tallazitjes, e gjithë muraja e shpellës, nga lart poshtë, prej kubesë deri tek fshirja e saj në të padukshmen, ishte e shtruar me këto harlisje të mrekullta të oqeanit, të vënë ré aq rrallë nga syri i njeriut, që lundërtarët e vjetër spanjollë i quanin praderias del mar. Një lëmashk i thantë, që kishte të gjitha nuancat e ullirit, i fshihte dhe i amplifikonte kërcitjet e granitit. Prej të gjitha monopateve vareshin shiritat e hollë të leshterikëve me të cilat peshkatarët bëjnë barometra. Fryma errcake e shpellës i trazonte këto rripa shkëlqimtarë.
Nën këto bimësi fshiheshin dhe shfaqeshin njëherit xhevahiret më të rralla të peshtafit të oqeanit, gur fildishi, stridhje, dibafimitra, kaska, purpure, zhgoja, guaska gjembaçe, stridhje turjela. Zhguajt e këmijve të detit, njësoj si kasolle mikroskopike, ngjiteshin ngado për shkëmb dhe grupoheshin në fshatra, në rrugët e të cilëve vardiseshin sh*tonët, këto bubuzhelë të valës. Meqë fiçorët mund të hynin me shumë vështirësi në këtë shpellë, aty strehoheshin midhjet. Midhjet janë zonja të rënda, që, tërë qëndisma e tërë stoli, e shmangin kontaktin e vrazhdë dhe joqytetar të turmës së guralecëve. Grumbulli xiglues i midhjeve lëshonte, nën valëzim, në disa drejtime, rrezatime të pakumtueshme përmes të cilave ndërshihej një lëmsh katrimesh dhe sedefeksjesh, dhe prarimesh të të gjitha nuancave të ujit.
Mbi paretin e guvës, pak sipër linjës së pluskimit të baticës, një bimë e mahnitshme dhe e veçantë ngjitej si një bordurë ndaj perdes së leshterikëve, e vazhdonte dhe e plotësonte. Kjo bimë, fijezore, e dendur, e koklavitur në mënyrë të pazgjidhshme dhe thuajse të zezë, i falte shikimit shtresa të gjera të ngurtësuara dhe të errëta, të stërpikura ngado me lule të vogla ngjyrë lapis-lazuli. Në ujë këto lule dukej sikur ngjyroseshin, dhe të bëhej se shihje thëngjij blu. Jashtë ujit ato ishin lule, nën ujë ishin safirë; kësodore vala, duke u ngjitur e duke e përmbytur bazën e shpellës të veshur me ato bimë, e mbulonte shkëmbin me xhevahire.
Në çdo ngritje të valës që fryhej si një mushkëri, ato lule, të lagura, shkëlqenin, në çdo ulje ato fikeshin; ngjashmëri melankolike me fatin. Ishte marrja frymë, që është jeta; mandej nxjerra e frymës, që është vdekja.
Një nga mrekullitë e shpellës, ishte shkëmbi. Ky shkëmb, herë murajë, herë kubé, herë tra ose shtyllë, ishte vende-vende i shëmtuar e i zhveshur, mandej, bash ngjitur, i punuar me gdhendjet më delikate të natyrshme. Diçka shumë mendore përzihej me budallësinë masive të granitit. Ç'artist është honi! Kjo faqe muri, e prerë katrore dhe e mbuluar me gunga kishte qëndrimin, shëmbellente me një basoreliev të vagtë; para kësaj skulpture të rrufeshme, ndërmendje Prometeun që i gatit skicën Mikelangjelos. Dukej se me disa goditje çekani gjeniu pat arritur atë që kishte filluar gjigandi. Në vende të tjera, shkëmbi ishte ojnuar si një mburojë saraçene ose i niveluar si një vaskë fiorentinase. Ajo kishte tabela që dukeshin prej bronzi Korinti, mandej arabeska si një portë xhamie, mandej, si një gur runik, gjurmë thonjsh të errëta dhe të pahonepsëshme. Bimë me torse të muskulosura dhe me rrica, që ndërkryqëzoheshin mbi praprimet e likenit, e mbulonin me filigrana. Kjo guvë ndërlikohej me një alhambër. Ishte takimi i egërsisë dhe i arpunimit në arkitekturën e shquar dhe të shformuar të zararit.
Myshqet e mahnitshme të detit vishnin me kadifé qoshet e granitit. Skarpatat qenë të lulëzuara me liane lavjerrëse, të afta mos me ra, dhe që dukeshin inteligjente, aq mirë stolisnin. Milcat me buqeta të çuditshme tregonin tufat e tyre me kast e me shije. Krejt lezeti i mundshëm për një shpellë ishte aty. Drita befasuese edenike që vinte nga poshtë ujit, njëherit gjysmëhije detare dhe rrezatim parajsor, i përngjyrte të gjitha tiparet në njëfarë brerimi vegimtar. Çdo valë ishte një prizëm. Konturet e gjërave, nën ato valë të ylberizuara, kishin kromatizmin e thjerrëzave optike tepër të mysëta; fantazma diellore pluskonin nën ujë. Të bëhej se shihje tek shpërdridhej tek kjo tejpashmëri agullore copa ylberësh të mbytur. Tjetërkund, në qoshka të tjera, kishte mbi ujë një dritëmim hëne. Të gjitha shkëlqimet dukeshin të amalgamuara aty për të bërë kushediçë të verbër dhe natore. Asgjë s'ishte më turbulluese e më enigmatike se ky salltanet në këtë guvë. Ajo që mbisundonte, ishte magjepsja. Bimësia fantastike dhe shtresëzimi i patrajtë përkonin dhe çlironin harmoni. Kjo martesë gjërash të egra ishte e lumtur. Degëzimet kacavareshin me pamjen se harliseshin. Përkëdhelja e shkëmbit të egër dhe e lules së egër ishte e thellë. Shtylla dërdënge kishin për kapitel dhe për lidhje do kordele të hajthme krejt të depërtuara nga mardhi, hamendshe gishta zanash që gudulisin këmbë thopçash, dhe shkëmbi e mbante bimën dhe bima e shtrëngonte shkëmbin me një nur të përbindshëm.

Me rastin e 12 vjetorit të furrikut, kam këndaqsinë të njoftoj se çmimin Furra e Books për prumjen ma të mirë në kulturë...
30/09/2025

Me rastin e 12 vjetorit të furrikut, kam këndaqsinë të njoftoj se çmimin Furra e Books për prumjen ma të mirë në kulturën e shkrueme shqipe, sivjet e fiton prof. Andrea Shundi me veprën Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë, si nji kontribut unikal jo vetëm në lamijen përkatëse por edhe ma gjanë në mbarë filologjinë shqiptare.
Meriton me u gdhendë në mermer edhe citati i zgjedhur për ballinë: “Si për çudë, këtu në Scodrinon pinë verë edhe gratë.”

14/05/2025

T'isha nje lule

T’isha një lule-lule are, e vogël dhe me erë.
Të çelnja në pranverë
Dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë time.
T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.
Të qëndroja e fshehur, e pa dukur
Dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të
dy të rinjëve.
Prej frike,
Të larguar prej njerzisë do t’më këputnin,
Do t’u dhurohesha te njëri-tjetri
Për shenjë kujtimi.

Musine Kokalari

Ju përshëndoshim me botimin ma të ri prej koleksionit Furra e Books, përkthye prej meje dhe Armandit Dedej. E kam korrig...
26/03/2025

Ju përshëndoshim me botimin ma të ri prej koleksionit Furra e Books, përkthye prej meje dhe Armandit Dedej. E kam korrigjue së paku 10 herë dhe ju garantoj se asht i qëruem, përveçse i qendisun.

Kur të vjen Mixha për Vizitë(Nji natë shkodrane n’teatrin milanez)Mbramë kjeme te teatri i Isolas se kishte ardhë Mixha ...
28/02/2025

Kur të vjen Mixha për Vizitë
(Nji natë shkodrane n’teatrin milanez)

Mbramë kjeme te teatri i Isolas se kishte ardhë Mixha me shfaqjen Vizita. Mixha, pra trupa e Migjenit. Ndonji vip kishte ardhë spektator, prej atyne që janë artista primend.
Shfaqja asht e amël.
Personazhi i priftit, luhet nga nji aktor - zbulimi i vërtetë i ktij show - i riatdhesuem në Shkodër, i cili i jep nji ton anglo-sakson dhe kinematografik shfaqjes. Ka nji aplomb të rrallë, dhe duket sikur ka dalë prej ndoj rektorati alla Motrat Brontë, ose sikur asht vëllai qytetas i atij priftit endacak që i bashkohet bandës së Robin Hoodit në pyllin e Sherwoodit dhe i ndihmon me fermentue birrë. Nikolini Fërketa asht thjesht i çmendun. Bep Shiroka nuk e kupton tekstin mjeko-ligjor që reciton – si duket e ka mësue para se me e lexue Wellsin, por e kompenson me xhirot prej shkodrani të vjetër që ban me biçikletë rreth e rrotull kafazit prej sustash me në krye telin me gjemba – që të çojnë direkt në Spaç edhe pa kenë ndojherë.
Personazhi ma i dobët asht engjëlli, megjithse aktori që e luen e mishëron në mnyrë të përkryeme – mangësi e dramaturgut. Wellsi ishte kalorës i teorisë së evolucionit, i takon atij brezi fatal dhe me ndikim të madh ende sot, që e shkruen historinë e botës, për aq sa e zen British Museum. Dhe nuk asht e rastit që historia e tij e botës, kje varianti i preferuem i Stalinit, dhe të tillë e kemi msue edhe ne në shkollat shqiptare.
Wellsi asht didaskalik, por ndryshe nga Brechti nuk e ka ate epizmën marksiste, dhe rrezikon me u dukë si famullitar fshati: e pshton vixhuti sakson, që e rrënon ma zi. Engjëlli i tij asht alegorik – përfaqëson nji lloj ideali viktorian postum, ideali i atyne që humbën fluturimin e shpirtit pikërisht kur po shpikej fluturimi me aeroplan.
Skenografia asht e lëvizshme. Ka shum Shkodër e pak Degë të mbrendshme aty mbrendë.
Nji kritikë kërcitëse e Wellsit i shkon pronës, konceptit të pronës private, e cila në sytë e engjëllit duket si gjaja ma absurde. Si diçka që mbrohet me çizme dhe çifte. Me maskë dhe kaskë. Kjo asht pjesa ma e dobët e dramaturgjisë wellsiane.
Pjesa realisht ma engjëllore, dhe që tingullon si e tillë, asht gegnishtja, aq e amël, sa edhe në skenën milaneze tingëlloi si në shpi të vet. Përpos personazhit të priftit, shfaqja nuk ka asgja anglo-saksone, asht e gjitha shkodrane: Rita duket tamam si me kenë dada e Tefës, ajo që i thoshte në fëmini: lufto për pilaf! Juli duket si ato koristet e vjetra ilire, që Pompeu i pa’ e ndigjoi gjatë rinisë së tij n’Apoloni a në Durrës. Merita ka nji za aq të kadifenjtë sa duket se i flet nji publiku të magjepsun, pa dashtë me e prishë magjinë e nji nate që duket se nuk mbaron. Gjestualiteti i Fërketës, kompenson me gramatikë, fjalët e tij prej marroku provincial që ndoshta shef andërr se asht engjëll dhe se asht artist. Regjisori napoletan e ka shqiptarizue mjaftueshëm shfaqjen, por nuk e ka çue deri te pasojat e mbrame – nuk ka futë spitalin e të marrëve, Degën e mbrendshme, fushën e shejtë të Rrmajit... Por ndoshta asht ma mirë kshtu, ka litani, kndohet meshë në shqip, janë fjalët e meshës së parë që u kndue mbas ramjes së diktaturës? O Zojë e Shkodërs... ankimet tona çojina n’lterë...! Dhe ajo herë e parë, e nji litanie të përsëritun ndër shekuj, tingëlloi prap edhe mbramë si herë e parë... ngase primend gjithçka asht thanë, por njerzit harrojnë.
Chapeau, të gjithë aktorëve. Të gjithë njerz karizmatik, që ke qejf me i pa’ jo vetëm në skenë por edhe në rrugë.
Mbas shfaqjes u shfaq nji panel të ftuemish që folën për pjesën menaxheriale të teatrit të sotëm, ku ma shtruem se të gjithë foli drejtoresha e Mixhës me flokët ngjyrë Armageddon, dhe ajo kuvendi si n’shpi të vet, ngase kjo asht ajo Europa, që ne e themeluem dikur – e ku ende sot duhet me hy për hatllash.
Kjo Vizitë më kujtoi nji tjetër: Vizitën e fundit të mikut tonë Albri Brahushës, nji shfaqje që ende e ruen freskinë e vet dhe meriton me u kthye në skenë, e jo vetëm në skenën e Mixhës që ishte djepi i saj.

Meriton nji trailer ma të mirë.
Nse nuk jeni dakord me ktë recensë, ma shkrueni ktu, se shkoj e shof prap.

Simbas Bylit ky libër mund të lexohet pa drita. Kopjet e para në betonale Shkodër. Koleksioni Furra e Books, 4 (V).
29/01/2025

Simbas Bylit ky libër mund të lexohet pa drita. Kopjet e para në betonale Shkodër. Koleksioni Furra e Books, 4 (V).

Kemi këndaqsinë me ba me njohje publikun shqiptar të Furrës se kemi rifillue aktivitetin tonë atje, tashme me botimet to...
11/12/2024

Kemi këndaqsinë me ba me njohje publikun shqiptar të Furrës se kemi rifillue aktivitetin tonë atje, tashme me botimet tona: koleksioni Furra e Books, ku si fillim po shfaqen disa përkthime të mia. Kjo falë nji bashkëpunimi me shtëpinë Fiorentia në Shkodër. Aktualisht kanë pa' dritën e shtypit kto tituj: romani Tristana i Galdosit, përmbledhja me aforizma Silogjizmat e idhnimit prej Cioranit, romani klasik Buvar e Pekyshe (Dy bablokët) prej Flaubertit sidhe romani monumental i Hygoit Punëtorët e detit. Kto janë daljet e koleksionit Furra prej numrit zero deri te numri 3(IV). Për porosina mund t'i drejtoheni botuesit z. Meritan Spahija në Betonale ose direkt te libraria universitare e Arianit (po aty), ose mund të na shkrueni ktu në inbox. Koleksioni mirëpret edhe shkrime origjinale autorësh shqiptar, ose përkthime me nivel. Urojmë të bahemi njimijë lexues që t'i bajmë 100 tituj!

Sot asht 11 vjetori i Furrës dhe i treti vit radhazi që ndajmë çmimin letrar. Rregulli asht ai i përvjetshmi: çdo fitues...
30/09/2024

Sot asht 11 vjetori i Furrës dhe i treti vit radhazi që ndajmë çmimin letrar. Rregulli asht ai i përvjetshmi: çdo fitues ka tagër me emënue nji autor/përkthyes që mendon se ka pru diçka unikale në letrat shqipe.
Fituesja e larit të Furrës për vitin 2024 të tënzot, asht Nerinda Hysa për vëllimin me skica: Nji vend jashtë bote.
Për nji mnyrë sublime me të cilën përball horrorin e përditshëm dhe nji katharsis që na çon drejt përulësisë. Nji stil që ka prekjen muzikore të talenteve ferishte, e len pa droe ndjesinë e nji butësie ujore, si gjendej dikur vetëm në Shkodër dhe sâ ma e rrokshme askund tjetër.
Jam veçanërisht enthusiast n’ktë rast, ngase kam rifillue edhe botimin e punëve të mia letrare, lanë në syrtar prej ma se 11 vjetësh.

P.s.: Onufri gabon kur thotë se asht libri i parë i autores, e cila ka pasë dy vëllime me poezi në adoleshencë, të cilat përmbledhje e banim qysh në krye të herë zâ unikal në vargëzimin shqip.
Prap shuma e çmimit asht e përshtatun me inflacionin dhe rritet si e tillë me rreth 15 përqind.

Indirizzo

Via Lomazzo, 11
Milan
20154

Orario di apertura

Lunedì 16:00 - 19:30
Martedì 10:00 - 19:30
Mercoledì 10:00 - 19:30
Giovedì 10:00 - 19:30
Venerdì 16:00 - 19:30
Sabato 10:00 - 19:30
Domenica 11:00 - 19:30

Notifiche

Lasciando la tua email puoi essere il primo a sapere quando Furra e Books pubblica notizie e promozioni. Il tuo indirizzo email non verrà utilizzato per nessun altro scopo e potrai annullare l'iscrizione in qualsiasi momento.

Contatta L'azienda

Invia un messaggio a Furra e Books:

Scelte rapide

Condividi